Tashmë që Monika Kryemadhi është zyrtarizuar si opinioniste e “Big Brother VIP Albania 5”, ajo ka zbuluar se e gjitha nisi nga një moment viral me personazhin e “UëTëFë Show”, Kostjan Gjerazi.
Në episodin e fundit të podkastit, Kryemadhi pranoi se intervista e dhënë gjatë premierës së filmit “Kazerma”, ku Kostjani i sugjeroi për herë të parë rolin e opinionistes, ishte shkëndija që vuri në lëvizje autorët e Top Channel.
“Prej jush e kam dhuratë Big Brother-in! Ju jeni provokatorët e parë sepse videoja bëri xhiron,” u shpreh ajo, duke konfirmuar ndikimin e asaj bisede të shkurtër.
Megjithatë, Kryemadhi zbuloi se telefonata e parë nga produksioni nuk shkoi edhe aq mirë. Ajo rrëfeu se kur e telefonuan autorët (dhe jo Ledioni), ajo mendoi se ishte një shaka.
“Për të thënë të drejtën, unë e mora si provokim dhe komunikova shumë keq, që është gabimi im, siç jam unë kështu skeptike. U thashë mos u tallni,” tregoi ajo.
Tashmë që ka pranuar rolin, Monika është e vetëdijshme për peshën e tij, duke theksuar se sfida kryesore do të jetë ndarja nga profili i saj politik:
“Është përgjegjësi e madhe… Nuk duhet të bësh gabim, nuk duhet të bëj politikë.”
