Puntata e parë e “Big Brother VIP Fan Club” ka nisur sot me një surprizë të papritur.
Ndonëse publiku priste në skenë moderatoren e këtij sezoni, Kiara Titon, hapjen e emisionit e bëri fituesi i BBVIP2, Luiz Ejlli.
Këngëtari hyri në studio për të mbështetur partneren e tij në këtë rrugëtim të ri televiziv, por nuk i kurseu as batutat dhe “kunjat” e forta, duke iu referuar historikut të konflikteve me disa nga pjesëtarët e ekipit të Fan Club, përfshirë autorin e programit, Ronaldo Sharka si dhe të ftuarën e puntatës së sotme, Sara Gjordeni, e cila kohë më parë ka bërë një koment negativ për Kiara Titon në rrjetet sociale.

Luizi e nisi fjalën e tij me stilin karakteristik, duke iu drejtuar publikut dhe të pranishmëve: “Zonja dhe zoterinj, capacula…”
Pas kësaj hyrjeje, vëmendja kaloi te Kiara. Luizi bëri një prezantim emocionues dhe mbrojtës për bashkëshorten e tij, duke dërguar një mesazh të qartë për kritikët:
“Ajo eshte nje grua, qe nuk ka per te qene kurre vetem sepse me ka mua ne krah. Jane munduar ta lene ne hije, por hija nuk e mbulon driten, bashkeshortja ime, nena e Lunes, Kiara Tito”
Megjithatë, atmosfera nuk mbeti vetëm te romanticiteti.
Përpara se të largohej nga skena, Luizi lëshoi një thumbim të drejtpërdrejtë, që duket se kishte si adresë autorin e programit, Ronaldo Sharka, me të cilin ka pasur përplasje të shpeshta që nga koha kur ishin konkurrentë, si dhe për Sara Gjordenin.
“Nuk do qendroj gjate, sepse kam perballe njerez qe u shkon tensioni shume lart” – u shpreh ai, duke nënkuptuar tensionin e vjetër që ende ekziston mes palëve, pavarësisht bashkëpunimit aktual nën të njëjtën logo.

