Arjan Konomi është rikthyer zyrtarisht në ekranin e Top Channel si pjesë e panelit të opinionistëve në “Big Brother VIP Fan Club”.
Ky rikthim vjen vetëm pak kohë pas një deklarate të bujshme që ai bëri në programin e Arbana Osmanit, ku zbuloi arsyet e një “ftohjeje” të mëparshme me shtëpinë mediatike.
Gjatë intervistës në “Mirëmbrëma Yje”, Konomi mori vëmendjen e publikut kur tregoi se një status i tij në rrjetet sociale—ku kritikonte opinionistët e atëhershëm të BBVIP—u bë “mollë sherri”.
Ai rrëfeu se drejtuesit e Top Channel e kishin telefonuar duke i kërkuar ta fshinte postimin, kërkesë të cilën ai e kishte refuzuar kategorikisht. Ky refuzim, sipas tij, çoi në pezullimin e tij të përkohshëm nga televizioni.
Tashmë që është ulur sërish në kolltukun e opinionistit, pyetja për marrëdhënien me televizionin ishte e pashmangshme.
I pyetur rreth deklaratës së tij dhe rikthimit, Arjani sqaroi se nuk mban mëri dhe se çdo pakënaqësi e momentit është lënë pas krahëve.
“Unë, nëse kam një pakënaqësi apo një moskordancë mendimesh apo opinionesh, jam shumë i hapur ndaj tyre. Unë nuk kam patur asnjëherë asnjë konflikt, nuk kam patur asnjë problem me Top Channel-in,” u shpreh Konomi.
Ai theksoi se pavarësisht penalizimit që erdhi si pasojë e statusit për Big Brother-in, marrëdhëniet njerëzore dhe profesionale u ruajtën.
“I kam patur marrëdhëniet e mira edhe pas largimit tim… Por unë falenderova njerëzit, i takova, kam ardhur i ftuar në emisione të tjera. Një nga karakteristikat e mia si person është që nuk mbaj as mëri, por ishte një gjë që mund të ndodhë dhe është normale,” përfundoi ai.
Me këtë rikthim, Konomi konfirmon se konfliktet e vjetra janë sheshuar, duke u bërë sërish pjesë aktive e diskutimeve rreth formatit më të ndjekur në vend.
