Një situatë e paprecedentë ka ndodhur pas spektaklit të fundit të “Big Brother VIP Kosova”.
Eliminimi i Toney-t shkaktoi një furtunë reagimesh në rrjet, jo për shkak të votave, por për shkak të një gafe të dyshuar nga moderatorja Jonida Vokshi.
Pamjet virale që po qarkullojnë tregojnë momentin kritik kur Jonida lexon zarfin e eliminimit. Pretendimet e forta të publikut janë se ajo ka bërë një lapsus, duke lexuar emrin e Tonit në vend të Labinotit.
Dyshimet u forcuan edhe më shumë nga reagimi i bashkë-prezantuesit, Alaudin Hamiti. Ky i fundit u fokusua nga kamerat tejet i shtangur, duke qëndruar në suspancë dhe i habitur për disa sekonda, sikur të mos e besonte atë që sapo u tha.
Pas lumit të komenteve dhe akuzave për këtë gabim, produksioni duket se ka gjetur “zgjidhjen elegante” për ta rekuperuar situatën. Është vendosur që Toney të rikthehet zyrtarisht në garë.
Për të justifikuar këtë rikthim pas “gafës”, skenari zyrtar është se Toney nuk u eliminua kurrë plotësisht, por u dërgua në një dhomë sekrete (izolimi), pa dijeninë e banorëve të tjerë.
Ai pritet t’i bashkohet shtëpisë në Prime-n e radhës, ndërsa “misioni” apo arsyeja e këtij izolimi të papritur pritet të zbulohet në vijim për të legjitimuar këtë kthesë të ngjarjeve.
