Dikur u zotua se do të bënte padi ndaj Top Channel, sot Monika Kryemadhi opinioniste në BBV: “Politika nuk na lejon të jemi vetvetja…”

Disa vite më parë, emri i Monika Kryemadhit u përfshi në një artikull të publikuar nga Top Channel, ku ajo akuzohej nga SPAK për fshehje pasurie.

Sipas artikullit, Kryemadhi dyshohej se nuk kishte deklaruar disa llogari bankare jashtë vendit, të përdorura për transaksione të ndryshme financiare, shkelje e cila, sipas ligjit, mund të sillte dënim me gjobë ose deri në tre vite burg, si dhe konfiskim të pasurive të padeklaruara.

Në atë kohë, reagimi i Monika Kryemadhit ishte i ashpër.

Ajo deklaroi publikisht se do të padiste median Top Channel, duke e konsideruar raportimin si të padrejtë dhe të motivuar.

Nëse të tjerët nuk i kanë bërë padi Top Channel-it sa herë vendoste gjoba poshtë e përpjetë, këtë radhë me Monika Kryemadhin do ta çojmë deri në fund”, u shpreh ajo asokohe.

Megjithatë, vite më vonë, qëndrimi i Kryemadhit ndaj Top Channel duket se ka ndryshuar rrënjësisht. Së fundmi, ajo është bërë pjesë e panelit të Big Brother VIP Albania 5 si opinioniste, një format i prodhuar dhe transmetuar pikërisht nga Top Channel.

Në momentin e hyrjes në skenë dhe gjatë takimit me moderatorin Ledion Liço, Monika Kryemadhi surprizoi publikun me deklaratën e saj:

Politika na vendos në disa korniza që ne mos të jemi vetvetja, por Top Channel na lejon të jemi vetvetja…”

Një deklaratë kjo që bie në kontrast të fortë me qëndrimet e saj të mëparshme, kur e njëjta media akuzohej prej saj dhe kërcënohej me padi.

Nga një raportim që ajo e cilësonte si shkelje dhe padrejtësi, Top Channel sot përshkruhet si hapësirë lirie dhe autenticiteti.