Pas vendimit të Gjykatës që dënoi me 16 vite burg Mario Përlleshajn, familja e të ndjerit Martin Cani ka thyer heshtjen përmes një deklarate publike prekëse dhe dinjitoze.
Prindërit e 14-vjeçarit e kanë përshëndetur vendimin e trupit gjykues, duke e cilësuar atë si “një rreze të fortë drejtësie”.
Ajo që ata vlerësuan më së shumti ishte fakti se Gjykata nuk ndoqi rekomandimin e Prokurorisë për ta trajtuar ngjarjen si një vepër të vetme, por njohu dy krime të veçanta: vrasjen e Martinit dhe tentativën e vrasjes ndaj Luisit.
“Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën që meriton,” shkruhet në deklaratë.
Përtej drejtësisë, familja zbuloi misionin e tyre për të përjetësuar kujtimin e djalit përmes tre nismave madhore:
- Muzeu “Martin Cani”: Një vend kujtese dhe edukimi.
- Një film: Mbi jetën dhe ëndrrën e tij të ndërprerë për futbollin.
- Fondacioni “Martin Cani”: Që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla.
Deklarata e plotë:
“Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne – familja e Martin Canit – kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.
Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale – vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.
Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.
Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.
I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.
Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.
Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.
Ne do të vazhdojmë misionin tone me:
Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit.
Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.
Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.
Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh”.
