“Më keni hequr bebelinat e mamit”, Egla Ceno dorëhiqet nga Teatri “Skampa”: “Më hoqën pagën…”

Aktorja Egla Ceno ka njoftuar publikisht largimin nga Teatri “Skampa” në Elbasan, pas një konflikti të krijuar me drejtuesit e institucionit.

Ajo thotë se prej dy muajsh nuk është paguar për punën si aktore, dhe se arsyeja që i është komunikuar lidhet me pjesëmarrjen e saj në shfaqjen “Babai” në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Ceno shprehet se ky “bashkëpunim” ka përfunduar në mënyrë jo profesionale, duke e lidhur pezullimin e pagës me angazhimin e saj në shfaqjen e përmendur.

Falenderim publik për Teatrin ‘Skampa’ për ‘bashkëpunimin’ që kam patur deri sot. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme; sidomos momenti kur u vendos të hiqej paga ime vetëm se mora pjesë në shfaqjen ‘Babai’ te Teatri Kombëtar Eksperimental (të paktën ky ishte preteksti që mu komunikua) Një veprim ‘artistik’ me plot finesë, që flet shumë për mënyrën se si vlerësohet puna, artisti dhe njeriu.

Sa për dirigjencën? Bravo. E goditët me stil të vërtetë të lartë ‘vendimmarrjen kreative’. Kaq kam për dirigjencën! Zoti qoftë me ju, keni dy muaj që më hiqni bebelinat e mamit (550 lek te vjetra rrogë) Vijoj përpara, më e fortë dhe më e qartë se kurrë për çfarë meritoj dhe çfarë nuk pranoj.”

Aktorja thekson se vendimi i saj për t’u larguar lidhet me mënyrën se si është trajtuar nga drejtimi i institucionit, ndërsa distancohet nga çdo pakënaqësi ndaj publikut elbasanas, të cilin e falënderon.

“E dua pafundësisht Skampën dhe Elbasanin dhe jam vetëm mirënjohëse për dashurinë e publikut. Kjo është një histori drejtorllëku por unë ‘luftën’ e kam me skenën jo me drejtorllëkun, prandaj i mrekullueshmi Elbasan, të lutem prano dorëheqjen time. Ju kam në zemer”, shkruan ajo.

Egla Ceno ka qenë për shumë vite pjesë e trupës së Teatrit “Skampa”, ndërsa konflikti i fundit me drejtorin Kliton Kapaj, sipas saj, ka çuar në këtë vendim. Për momentin, drejtoria e teatrit nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e aktores.