Familja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi ka bërë të ditur se figura e njohur e sportit, Igli Tare, ka luajtur një rol vendimtar në kthimin e trupit të artistit në Maqedoninë e Veriut.
Pas ndarjes së papritur nga jeta në Bergamo, procedurat ligjore dhe ato të autopsisë në Itali zakonisht kërkojnë një kohë të gjatë, duke vështirësuar riatdhesimin e trupit.
Megjithatë, ndërhyrja personale e Tares bëri që këto procedura të komplikuara të përmbylleshin në vetëm katër ditë.
Vëllai i këngëtarit, Albin Kasapi, falënderoi publikisht ish-futbollistin për mbështetjen e dhënë: “Këto janë ditë dhimbjeje të madhe për familjen tonë. Falënderojmë të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh në këtë humbje të rëndë. Dua të shpreh falënderim publik për Igli Taren, bashkëkombësin tonë që bëri të pamundurën dhe ishte faktor kyç që trupi i Shpatit u kthye në kohë rekord në vendin tonë. Na është gjendur jashtëzakonisht shumë dhe e vlerësojmë pa masë këtë mbështetje”.
Ky angazhim human bëri të mundur që Shpat Kasapi të përcillej për në banesën e fundit të dielën e 30 nëntorit në Tetovë, duke lehtësuar sadopak dhimbjen e familjes në këto ditë të vështira.
