Flamur Noka për Shpat Kasapin: Familja t’i lexojë këto fjalë

Ndarja e parakohshme nga jeta e artistit Shpat Kasapi ka prekur mbarë opinionin publik, duke bërë që edhe figura të njohura të politikës të shprehin vlerësimin dhe ngushëllimet e tyre.

Deputeti Flamur Noka ka bërë një postim të ndjerë në rrjetet sociale, duke vlerësuar mbi të gjitha karakterin e artistit të ndjerë, të cilin e cilëson si një djalë gjithnjë “buzagaz”.

Ai u shpreh: “I njohur dhe i pëlqyer për publikun në moshë fare të re, Shpat Kasapi nuk e shfaqi kurrë krekosjen e famës. Përkundrazi, thjeshtësia dhe buzëqeshja e tij e pandarë na e bëjnë më të dhimbshme lamtumirën.”

Noka theksoi se zëri i tij do të jetë i pavdekshëm sa herë të dëgjohet “Valle Kosovare” në gëzimet familjare, ndërsa pati edhe një dëshirë specifike për të afërmit e të ndjerit në këto ditë të vështira.

Dëshiroj që një ditë së afërmi familja e Shpatit t’i lexojë një për një komentet dhe fjalët e mira që shqiptarët thanë për këtë djalë… E kjo mbase do u lehtësojë sadopak dhimbjen e madhe që la ikja e parakohshme e tij,” përfundoi deputeti mesazhin e tij.