Egli Tako ka qenë surpriza e mëngjesit të sotëm në emisionin “Wake Up”, ku i është bashkuar moderatorit Blendi Salaj si bashkëprezantuese.
Përveç rolit të moderatores, ajo ka ndarë me publikun edhe detaje ekskluzive mbi planet e saj artistike.
E pyetur për rikthimin në muzikë, Egli konfirmoi se po punon intensivisht për një material të ri, duke shprehur dashurinë e saj për procesin krijues.
Ajo u shpreh: “Kam një projekt muzikor me të cilin po punoj, nuk është ende gati. Është akoma në proces pune, unë vdes për këtë procesin gjatë kohës që përgatitet… Kur flas për muzikën gjithmonë më shkëlqejnë sytë.”
Megjithatë, këngëtarja refuzoi të japë një datë fikse për publikimin, duke theksuar se arti nuk duhet të ketë afate të ngurta.
“Nuk kam një datë. Kur bëhet fjalë për artin dhe projekte artistike nuk më pëlqen të kem një afat, sepse mendoj që është një gjë shumë e ndjerë dhe nuk mund të jetë kurrë kaq ekzakte dhe matematikë,” tha ajo.
Gjithsesi, Egli dha një shpresë për fansat duke zbuluar periudhën e përafërt: “Jemi duke punuar dhe shpresoj që gjatë dhjetorit të kemi diçka,” duke lënë të hapur mundësinë për një projekt të ri brenda këtij viti.
