“Panik në ajër”/ Avioni për në Rinas kthehet urgjentisht mbrapsht, 5 pasagjerë bien të fikët njëherësh

Një udhëtim i zakonshëm nga Londra drejt Tiranës është kthyer në një situatë kaotike dhe ankthi për pasagjerët, pasi avioni ka bërë një devijim të papritur në mes të fluturimit duke mos mbërritur në destinacion.

Avioni i nisur nga “Luton Airport”, i cili pritej të ulej në Rinas në orën 10:55, ka ndërruar kurs papritur teksa ndodhej mbi hapësirën ajrore të Mynihut, duke u rikthyer në destinacionin fillestar, në Londër.

Sipas burimeve, shkak për këtë manovër emergjente është bërë një situatë e rëndë shëndetësore në bord, ku 5 pasagjerë janë ndjerë keq dhe kanë humbur ndjenjat (të fikët) në mënyrë të menjëhershme dhe të pashpjegueshme.

Sapo ekuipazhi ka njoftuar pilotin për situatën alarmante, ky i fundit ka marrë vendimin për t’u kthyer në Londër.

Me të mbërritur në aeroport, 5 ambulanca kanë rrethuar avionin në pistë për të transportuar me urgjencë pasagjerët e sëmurë, ndërsa mbetet ende mister se çfarë e shkaktoi këtë përkeqësim të menjëhershëm të shëndetit të tyre.

Kjo ngjarje ka shkaktuar vonesa zinxhir, duke prekur edhe pasagjerët që prisnin të udhëtonin nga Tirana drejt Londrës.