Hidhet shorti i Play-off për Botërorin 2026, ja me kë do të ndeshet Shqipëria dhe Kosova

Sapo është hedhur shorti për fazën e ‘Play-off’-it të Kampionatit Botëror 2026, duke përcaktuar përfundimisht fatin dhe rrugëtimin e Kombëtares shqiptare dhe asaj të Kosovës drejt ëndrrës së madhe amerikane.

Goglat kanë rezervuar një përballje “të zjarrtë” për Kuqezinjtë. Shqipëria do të luajë në gjysmëfinale kundër Polonisë, një kundërshtar i njohur dhe i fortë fizikisht.

Nëse Kombëtarja arrin ta kalojë me sukses këtë sfidë, në finalen vendimtare për biletën e Botërorit do të përballet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.

Nga ana tjetër, edhe “Dardanët” kanë mësuar kundërshtarët e tyre në këtë fazë kritike. Kosova është shortuar përballë Sllovakisë.

Në rast se arrijnë të triumfojnë në këtë ndeshje, në finalen e madhe të grupit të tyre do të ndeshen me fituesin e duelit mes Turqisë dhe Rumanisë.