Kiara Tito tregon anën e vështirë të famës dhe ‘ndjenjën e fajit’ ndaj vajzës

Moderatorja Kiara Tito, ka folur hapur mëngjesin e sotëm në “Wake Up”, për angazhimet e saj të shumta profesionale dhe koston e lartë emocionale që po paguan si nënë e re në këtë periudhë të ngarkuar.

Aktualisht e angazhuar me moderimin e “Portokalli” dhe xhirimet intensive të filmit të ri me bashkëshortin e saj, Luiz Ejlli, Kiara rrëfeu se kjo situatë i ka zgjuar ndjenjën e fajit ndaj së bijës, Luna Mari.

Ajo u shpreh: “Nuk e kisha menduar që filmi ka kaq shumë lodhje. Më mërzit pjesa që nuk takoj shpesh Lunën”.

Më tej, moderatorja tregoi sakrificën fizike që po bën, duke thënë: “Jam me 3 orë gjumë. Jam e angazhuar edhe te “Portokallia” dhe nuk kam ditë pushimi. Më mungon shumë Luna dhe herë pas here më kap ndjenja e fajit”.

Kjo ngarkesë vjen kryesisht për shkak të projektit të përbashkët kinematografik që çifti po realizon, i cili është konfirmuar se do të shfaqet në kinema në Shkurt të vitit 2026.

Filmi pritet të jetë një romancë që, sipas burimeve, do të ketë edhe elemente të frymëzuara nga vetë historia e tyre.