Ikballe Huduti, emri i së cilës u përfol gjatë si një nga banoret e sigurta të “Big Brother VIP Kosova 4”, ka reaguar për herë të parë duke zbuluar shkakun e vërtetë të mungesës së saj në natën e parë të spektaklit.
Nëpërmjet një postimi publik, ajo sqaroi se mos-pjesëmarrja lidhet me një situatë të rënduar familjare dhe jo me dëshirën e saj.
Huduti bëri të ditur se bashkëshorti, i cili e kishte mbështetur fuqishëm në këtë sfidë, pësoi një përkeqësim të papritur shëndetësor vetëm tre ditë para nisjes, si pasojë e sëmundjes së Parkinsonit.
Ajo e quajti mungesën e saj në format si “një humbje të madhe”, duke theksuar se misioni i saj ishte promovimi i vlerave.
Ajo u shpreh: “Suksesi, për mua, është i dy llojeve: njëri për famë e përfitim material, dhe tjetri për krijimin e promovimin e vlerave morale. Misioni im fetar lidhet ngushtë me vlerat dhe përsosmërinë e njeriut, të cilat janë në mungesë të madhe në shoqërinë tonë shqiptare”.
Gjithashtu, teologia pati një mesazh të drejtpërdrejtë për publikun që komenton banorët aktualë: “Askush nuk ju detyron ta shikoni këtë program. Por ju që e shikoni, në vend se të poshtroni, më mirë bëni lutje që këta banorë të vetëdijesohen për të mirat që kanë, të pendohen dhe të kthehen në rrugën humane dhe morale. Ju kam në lutjet e mia”.
Me këtë reagim, Ikballe Huduti shpjegoi situatën delikate, por la gjithashtu të hapur mundësinë nëse do të futet apo jo në shtëpi në një moment të dytë, pasi situata familjare të stabilizohet.
