Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë pas vrasjes së 44-vjeçarit shqiptar Francesk Shkambi, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Michigan, SHBA.
Shkambi, me banim në Howell, i cili ishte menaxher dhe bashkëpronar i restorantit “Prime 7”, u gjet i plagosur rëndë në verandën e lokalit të tij rreth orës 21:30. Ai u dërgua në spital, por ndërroi jetë pak më vonë si pasojë e plagëve.
Ndërsa hetimet në SHBA vazhdojnë, ku një 65-vjeçar u vetëdorëzua në polici 20 minuta pas ngjarjes, një tjetër detaj i rëndësishëm është zbuluar. Sipas të dhënave publike, viktima Francesk Shkambi ishte i afërm i Elvis Shkambit, 30-vjeçarit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë, më 6 tetor.
Mësohet se vetë Francesku, duke u prezantuar si familjar, kishte hapur një fushatë në “GoFundMe” pak javë më parë për të mbledhur fonde në ndihmë të Elvis dhe Gjon Shkambit.
Fushata kërkonte mbështetje financiare për “mbrojtje ligjore profesionale dhe të pavarur” dhe kishte arritur të grumbullonte mbi 8000 dollarë.
Lidhur me vrasjen në SHBA, policia bën me dije se autori 65-vjeçar dhe viktima njiheshin personalisht dhe mes tyre kishte një konflikt që ishte përshkallëzuar kohët e fundit.
Autori dorëzoi një pistoletë 9 mm, e cila dyshohet se është arma e krimit dhe rezultonte e vjedhur.
Ndërkohë, restoranti “Prime 7” ka njoftuar mbylljen pas ngjarjes së rëndë, ndërsa stafi e përshkroi Shkambin si një njeri të dashur dhe të përkushtuar.
