Televizioni Top Channel ka marrë një vendim drastik duke larguar nga emisioni i mëngjesit “Wake Up” dy moderatoret, Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj.
Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi në media qarkulloi lajmi për një konflikt të fortë mes tyre, i cili u tha se degradoi deri në përplasje fizike.
Të dyja moderatoret, së bashku me Blendi Salajn, e mohuan kategorikisht këtë ngjarje mëngjesin e sotëm (e hënë, 17 nëntor) gjatë transmetimit.
Neada u shpreh: “Nuk jam përfshirë asnjëherë në përplasje fizike dhe nuk pretendoj ta bëj… ai është fundi për mua”, ndërsa Enxhi shtoi: “Na është trashur lëkura. Nuk na bëjin më përshtypje [budallëqet e njerëzve]”.
Megjithatë, pavarësisht kësaj përgënjeshtre publike, duket se tensionet kanë qenë reale. Sipas raportimeve të “Voxnews.al”, vendimi i drejtuesve të televizionit ka ardhur pikërisht si pasojë e “konflikteve të vazhdueshme mes moderatoreve“.
Burimet theksojnë se raportet mes Enxhit dhe Neadës kanë qenë të tensionuara prej kohësh dhe se situata vërtet degradoi deri në përplasje fizike, duke e bërë bashkëpunimin të pamundur.
Edhe gjatë transmetimit të fundit ku u bë mohimi, vëzhguesit vunë re një ftohtësi të dukshme mes dy vajzave, ndërsa Blendi Salaj përpiqej të mbante balancën.
Ky vendim shënon fundin e bashkëpunimit për treshen e mëngjesit në Top Channel, e cila shoqëronte publikun çdo ditë në “Wake Up”.
