Dy moderatorë nga RTSH: Dalin emrat e parë të Big Brother Vip Albania 5?!

Me afrimin e dhjetorit dhe nisjen e sezonit të pestë të Big Brother VIP Albania, kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë të mundshëm të konkurrentëve.

Burime për “Vip Magazine” bëjnë me dije se ndër pretendentët kryesorë janë dy figura të Radio Televizionit Shqiptar.

Në krye të listës përmendet Sabina Mete, një prej figurave të njohura të sportit në RTSH dhe një prezencë e konsoliduar në ekranin publik prej vitesh.

Ndërkohë, një tjetër emër i lakuar është ai i Ardit Muratajt, moderator i programeve të mëngjesit dhe showbiz-it në RTSH.

Murataj ka spikatur në disa formate televizive dhe së fundmi drejtonte emisionin e mëngjesit në bashkëprezantim me Krisa Çaushin.

Ky nuk është rasti i parë që RTSH “prodhon” konkurrentë për BBVA.

Në sezonin e fundit, publiku pa të hynin në shtëpi disa ish-figura të televizionit publik si Krisa Çaushi, Gerta Gixhari dhe Valbona Mhillaj, të gjitha të afirmuara më herët në RTSH.