“Mos u merr me fenë”- Arbana Osmani zbulon këshillën që mori gjatë eksperiencës në Top Channel

Moderatorja Arbana Osmani, gjatë intervistës së saj të shumëkomentuar me Ben Blushin, ka zbuluar një tjetër prapaskenë nga koha kur të dy punonin në Top Channel.

Teksa diskutonin për ndikimin e medias tek publiku, ish-drejtori i përgjithshëm Ben Blushi u shpreh se televizionet në Shqipëri kanë një qasje të ndryshme nga ato ndërkombëtare. Sipas tij, mediat shqiptare “nuk janë udhëheqëse te opinionit por e ndjekin opinionin” dhe shpesh kthehen në “furnitore të portaleve.”

Pikërisht gjatë këtij diskutimi, Arbana Osmani ndërhyri për të ndarë me publikun një këshillë specifike që kishte marrë nga Blushi vite më parë, kur ai ishte drejtues i televizionit.

Ajo iu drejtua Blushit duke i thënë: “Mbaj mend që më ke dhënë një këshillë: Mos u merr me fenë.”

Ben Blushi jo vetëm që e konfirmoi këtë, por ndërhyri duke ia garantuar Arbanës se ajo kishte qenë këshilla më e vlefshme që mund t’i jepte. Ai shtoi se moderatorja nuk duhet të pendohet aspak që e ka ndjekur atë udhëzim, duke e cilësuar atë si këshillën “më të mirë dhe më të vyer”.

Ky moment zbuloi qasjen strategjike që ish-drejtuesi i Top Channel kishte këshilluar për figurat kryesore të ekranit lidhur me temat e ndjeshme publike.