Gjatë paraqitjes së saj në “Podfest”, këngëtarja dhe anëtarja e jurisë së Festivalit të Këngës 2024, Jonida Maliqi, u rikthye tek diskutimet që prej vitit të kaluar kanë qarkulluar rreth marrëdhënies së saj me Elvana Gjatën.
Tensionet e përfolura nisën që gjatë natës së votimit, kur Jonida e renditi Elvanën të dytën me këngën “Karnaval”, ndërsa një nënqeshje e saj në momentin e leximit të pikëve u bë virale dhe u interpretua gjerësisht nga rrjetet sociale.
Në bisedën me Olti Currin, Maliqi u pyet drejtpërdrejt nëse ishte përballur me sulme nga fansat e Elvanës. Ajo u ndal gjatë në përgjigjen e saj, duke e lidhur këtë situatë edhe me polemika të mëhershme.
Ajo kujtoi se kritikat ndaj saj nisën vite më parë, gjatë edicionit kur Arilena Ara fitoi festivalin. Sipas saj, keqkuptime të tilla shpesh lindin nga publikimi i opinioneve artistike:
“Më kanë sulmuar në fillim, para Shkodrës Elektronike, kur ka fituar Arilena Ara. Asokohe unë vija nga Festivali i 2018-ës dhe në 2019-ën duhet të jepja trofeun dhe m’u desh t’ia jepja Arilenës. Pastaj, më ftojnë në post festival, ku unë shprehem si artiste. Dhe njerëzit këtë ngatërrojnë, zakonisht krijohen skenare absurde, jo vetëm nga publiku, por edhe nga mediat, që kanë të bëjnë me anën personale. Ana personale nuk ka të bëjë fare. Dhe vetëm se thashë ‘kënga e Arilenës, sipas shijeve të mia muzikore, është kënga fituese’.”
Në këtë pikë, Curri e provokoi me një koment të drejtpërdrejtë: “pra, paske dalë dy herë kundër Elvanës, artistikisht”.
Maliqi pranoi se artistikisht mund të jetë perceptuar kështu, por nënvizoi se kjo nuk lidhet aspak me marrëdhëniet personale:
“Artistikisht, ndoshta po, por personalisht, duhet ta sqarojmë një herë e mirë, Elvanën e njoh që në moshë fare të vogël. Nuk ka nevojë fare për elozhet e mia sepse në qoftë se është aty ku është, është falë atributeve të saj. Ajo është një artiste që unë e kam vlerësuar gjithmonë, por nëse mua nuk më pëlqen kënga, nuk ka të bëjë fare me çfarë është ky këngëtar, ka të bëjë vetëm me materialin muzikor.”
Në përfundim, ajo shprehu respekt dhe urime për vazhdimësinë e karrierës së Gjatës, duke shtuar se beson që Elvana “do vazhdonte dhe ca dekada të tjera” në skenën muzikore shqiptare.
