Jo vetëm histori, ja sa para do përfitonte Shqipëria në rast kualifikimi në “Play off”-in e Botërorit

Kombëtarja Shqiptare e futbollit luan sot në mbrëmje një ndeshje me rëndësi vendimtare ndaj Andorrës, ku një fitore, e shoqëruar me një humbje të Serbisë ndaj Anglisë, do ta kualifikonte Shqipërinë zyrtarisht në fazën e Play-Off-it të Botërorit 2026.

Bilanci i kuqezinjve me Andorrën është tepër pozitiv, me 6 fitore, një barazim dhe vetëm një humbje. Shqipëria vjen në këtë takim me një ecuri të mirë në këto eliminatore, me vetëm tre gola të pësuar dhe gjashtë të shënuar pas gjashtë ndeshjesh.

Në krahun tjetër, Serbia, rivali kryesor për vendin e dytë, do të luajë sot në “Wembley” përballë Anglisë. Historiku është në favorin tonë, pasi Serbia është mundur 5-0 nga “3 Luanët” dy muaj më parë në Beograd dhe ka të gjashta përballjet historike me Anglinë të humbura, çka rrit shpresat për kualifikimin tonë që në këtë mbrëmje.

Kualifikimi për në finalet e Botërorit sjell përfitime të mëdha financiare, me një shpërblim prej rreth 9 milionë euro vetëm për futjen në këtë fazë, ndërsa çdo fitore më pas vlerësohet rreth 1.5 milionë euro. Hapi i parë është Play-Off-i, ku kundërshtarë të mundshëm mund të jenë Polonia, Çekia, Sllovakia apo Italia.

Për shkak se vetëm rreth 1,000 tifozë shqiptarë do të jenë në stadiumin 5,000-vendësh të Andorrës, të gjithë shqiptarët do të jenë me sytë te transmetimi i ndeshjes, duke pritur që kuqezinjtë në fushë të na bëjnë krenarë.