Në emisionin sportiv “Super Gol” në RTSH, moderatorja Hygerta Sako dhe panelistët Ardi Behari, Gert Haxhiu dhe Klajdi Kola u vunë në qendër të kritikave pasi nuk arritën të përmbaheshin nga të qeshurat gjatë një interviste me një futbollist afrikan të ekipit KF Burreli.
Në momentin që në ekran u shfaq lojtari Arnold Kwaku Siaw, të qeshurat nisën menjëherë.
Hygerta Sako tentoi t’i justifikonte ato duke thënë se “kishte vështirësi me shqiptimin e emrit të lojtarit”. Më vonë, ajo shtoi se nuk kishte pyetje për t’i bërë futbollistit, pasi nuk donte “ta komplikonte më tej situatën” pas ndërhyrjeve me batuta të kolegëve të saj.
Situata u përkeqësua kur Gert Haxhiu bëri një koment të papërshtatshëm, duke thënë: “Faleminderit RTSH-së që në momentet e fundit e zbuloi portretin e lojtarit, sepse dukej si rrëfimet e atyre njerëzve që nuk duan të flasin.”
Në përpjekje për të zbutur situatën, Hygerta Sako deklaroi se “problemi ishte te LED-i i RTSH-së”, por momenti tashmë ishte bërë publik dhe kishte lënë përshtypje të keqe.
Videoja e emisionit u publikua e plotë në YouTube, pa asnjë ndërhyrje ose prerje të atij fragmenti, dhe shumë shikues e cilësuan episodin si diskriminues.
Pas reagimeve të shumta në rrjete sociale, KF Burreli publikoi një deklaratë zyrtare në Instagram, duke dënuar ashpër sjelljen në emision:
“Në një program televiziv sportiv, u bë një akt i turpshëm bullizmi dhe talljeje ndaj lojtarit tonë Siaw, i cili me profesionalizëm e përulësi po përfaqëson me nder Burrelin.”
View this post on Instagram
