“Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet aty ku ishte, e pastrehë”- Ja çfarë po ndodh me ikonën shqiptare

Biznesmeni Elton Ilirjani ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë të këngëtares së njohur, Parashqevi Simaku, duke paralajmëruar se ajo mund të përballet sërish me pasiguri dhe mungesë strehimi nëse institucionet nuk ndërhyjnë urgjentisht.

Simaku, e cila ka pasur probleme shëndetësore dhe sociale, u bë temë e madhe në media pas ekspozimit të gjendjes së saj.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun, Ilirjani theksoi se situata e artistes nuk ka pësuar përmirësim gjatë 11 muajve të fundit dhe se ajo nuk po merr trajtimin dhe mbështetjen e nevojshme.

Ai deklaroi: “Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet aty ku ishte, e pastrehë! Situata e saj është shumë e vështirë. Nuk ka marrë asnjë përmirësim, nuk merr trajtim mjekësor, doli nga spitali dhe nuk është mirë. Një person që rri gjithë ditën në shtëpi humbet motivimin.”

Ilirjani bëri thirrje direkte për ndërhyrje institucionale nga shteti shqiptar, duke shtuar se ndihmat e rastësishme nuk janë të mjaftueshme. Ai tha: “Ajo ka nevojë për mbështetje që i mundëson të bëjë letrat, të marrë ID-në amerikane dhe shqiptare, si dhe trajtim mjekësor. Ndihma e shtetit është jetike në këtë rast.

Ilirjani përmendi se një individ ka mbuluar shpenzimet deri në janar, por pa ndërhyrje të mëtejshme, ajo do të rikthehet te sfidat e strehimit.