Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Pejë, ku një fëmijë 1-vjeçar ka ndërruar jetë pas një përkeqësimi të papritur të gjendjes shëndetësore, pavarësisht trajtimit të marrë në spital.
Fëmija u dërgua fillimisht në spital mbrëmjen e 5 nëntorit me të vjella, por pasi gjendja e tij u stabilizua, ai u lirua.
Ngjarja mori kthesë tragjike në mëngjesin e datës 6 nëntor 2025, kur fëmija u dërgua sërish në spital, rreth orës 07:00, në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe probleme serioze në frymëmarrje.
Ekipi i mjekëve e trajtoi menjëherë me oksigjen dhe terapi mbështetëse, duke kryer edhe intubimin për shkak të përkeqësimit të shpejtë të gjendjes. Megjithatë, për fat të keq, fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50.
Në përputhje me procedurat dhe protokollet ligjore, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës dhe organet kompetente për zhvillimin e hetimeve.
