Ky vend e bën palestrën pa pagesë për rë rinjtë 16-21 vjeç

Në Maltë, të rinjtë e lindur midis viteve 2005 dhe 2007 mund të regjistrohen zyrtarisht për një abonim falas gjashtëmujor në palestër duke filluar nga e diela.

Nisma, e cila u njoftua për herë të parë në buxhetin e tetorit të kaluar, u lançua zyrtarisht nga Kryeministri Robert Abela, një ish-kampion bodybuilding, në Mediterranean College of Sport në Birkirkara këtë të diel.

Të rinjtë 16-21 vjeç mund të aplikojnë për abonimin falas nëpërmjet faqes zyrtare youthfitness.gov.mt, dhe do të kenë mundësinë të regjistrohen në njërën nga 64 palestrat në të gjithë ishujt e Maltës.

Abela, vetë një entuziast i palestrës, tha se rreth 12,000 të rinj mund të përfitojnë nga kjo nismë, në të cilën qeveria do të investojë 2 milionë euro.

“Duam të sjellim një ndryshim mentaliteti – në mënyrën se si e shohim aktivitetin fizik që në moshë të re,” – tha ai për gazetarët para eventit të së dielës.

“Duam ta promovojmë aktivitetin fizik si pjesë të stilit tonë të jetesës. Aktiviteti fizik nuk është vetëm për atletët profesionistë, por për gjithë popullsinë.”

Abela inkurajoi të rinjtë që plotësojnë kushtet të përfitojnë nga kjo mundësi.

Ministri i Sportit Clifton Grima mbështeti fjalët e tij, duke thënë se kjo masë tregon se si investimi në sport dhe rini mund të bashkojë komunitetin rreth një stili jetese të shëndetshëm dhe pozitiv.

Sipas tij, qeveria po investon gjithashtu në një mentalitet të ri, përmes kësaj skeme, duke u dhënë të rinjve motivimin e nevojshëm për të zgjedhur një jetë më aktive dhe të balancuar, duke ndërtuar kështu një të ardhme më të shëndetshme për kombin.

Ngjarja e nisjes të dielën përfshiu seanca ushtrimesh dhe gara fizike, ku morën pjesë edhe figura të njohura ndërkombëtare të fushës së fitnesit, Alex Eubank dhe Greg Doucette.