Një qytetar ka propozuar në rrjetet sociale se çdo fëmijë që lind në Shqipëri duhet t’i nënshtrohet një testi të detyrueshëm ADN-je.
Sipas tij, ky hap do të ndihmonte në mbrojtjen e nderit të familjes dhe në ndalimin e shkatërrimit moral që, sipas mendimit të tij, po përfshin shoqërinë shqiptare.
Qytetari e lidh këtë ide me ngjarjet e rënda që kanë tronditur vendin vitet e fundit, ku janë raportuar raste të dhunës dhe vrasjeve brenda familjeve. Ai pretendon se rrënjët e këtyre fenomeneve mund të gjenden në “mashtrimet dhe gënjeshtrat e heshtura brenda familjeve shqiptare”.
Në mesazhin e tij, ai bën thirrje që shteti të marrë masa ligjore për të bërë testin e ADN-së të detyrueshëm për çdo lindje të re në vend, duke e cilësuar këtë si një mënyrë për të “shpëtuar moralin dhe nderin e kombit”.
Duhe iu drejtuar medias “JOQ”, qytetari shkruan:
“Thirrje për drejtësi në familje: Test ADN për çdo fëmijë që lind në Shqipëri!
Çdo ditë po zgjohemi me lajme që të thyejnë shpirtin: babai vret djalin, djali ther nënën, burri përdhunon vajzën, vëllai qëllon vëllanë.
Shoqëria po shpërbëhet dhe askush s’e pyet pse.
Por e vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur:
Familja shqiptare është minuar nga mashtrimi, nga gënjeshtrat e heshtura brenda mureve të shtëpisë. Janë me dhjetëra burra që rrisin fëmijë që nuk janë të tyre, pa e ditur kurrë. Janë me qindra fëmijë që rriten në gënjeshtër, pa e ditur kush është gjaku i tyre.
Dhe askush nuk mban përgjegjësi. Është koha që shteti të marrë masa të forta: Të bëhet test ADN i detyrueshëm për çdo fëmijë që lind në Shqipëri. Vetëm kështu mund të mbrojmë nderin e familjes dhe të ndalim këtë shkatërrim moral që po e turpëron kombin.
Nuk është çështje burrash apo grash, është çështje e së vërtetës. Sepse kush mashtron për gjakun, nuk mashtron vetëm një njeri, por tradhton gjithë kombin. Shqipëria ka nevojë për të vërtetën. Dhe e vërteta nis nga ADN-ja.”
