Qeveria ka parashikuar një rritje pagash me 2.5% për punonjësit e administratës shtetërore duke filluar nga 1 janari i vitit 2026, një shifër e cila përkon me indeksimin e pensioneve të muajit tetor, por nuk përfshin fonde për reforma të reja pagash.
Rritja e pagave në sektorin shtetëror do të bëhet në masën e shtrenjtimit të çmimeve dhe për këtë qëllim, qeveria ka parashikuar një fond prej 2.32 miliardë lekësh, që është sa 0.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithatë, për vitin 2026 nuk është parashikuar asnjë fond për politika të reja pagash, duke lënë të kuptohet se qeveria ka hequr dorë nga synimi i mëparshëm për “pagë mesatare 900 euro”.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e pagës minimale. Çdo i punësuar në Shqipëri, qoftë në sektorin shtetëror apo privat (nga punëtorët e ndërtimit te shitësit), do të paguhet me jo më pak se 50 mijë lekë në muaj, duke shënuar një rritje prej 10 mijë lekësh. Ky ishte një premtim i qeverisë gjatë fushatës elektorale.
Pavarësisht rritjeve, paga mesatare për orë pune në Shqipëri mbetet e ulët, duke arritur mesatarisht në 3.6 euro në orë, çka e vlerëson punën më pak se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës.
