Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë një vendim drastik, duke sekuestruar pajisjet elektronike të dy prej bashkëpunëtoreve më të afërta të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në kuadër të hetimit për dyshime korrupsioni dhe abuzime me tendera publikë.
Lajmi për nisjen e hetimit penal ndaj Ballukut, e cila është thirrur të paraqitet në SPAK e shoqëruar me avokat, ka tronditur qeverinë. Hetimi i ri ka hyrë në një fazë aktive, duke synuar “rrethin e brendshëm” të ministres.
Sipas burimeve, SPAK ka sekuestruar telefonat personalë dhe kompjuterët e dy zyrtareve kyçe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë: Viola Haxhiademi, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë, dhe Evis Mamaj, Drejtoreshë e Financave.
Mësohet se SPAK ka ushtruar kontrolle edhe në banesat e tyre, në kërkim të provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e skemës së dyshuar të korrupsionit brenda ministrisë.
Fakti që Haxhiademi dhe Mamaj konsiderohen “dora e djathtë” e Ballukut, tregon se SPAK po zgjeron hetimin në proceset e tenderave dhe koncesioneve shumëmilionëshe të Ministrisë, ku dyshohet se është përfshirë vetë zëvendëskryeministrja.
