Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, pas vdekjes së papritur të një të riu 19-vjeçar. Viktima është identifikuar si Flavio Saraçi, i cili u gjet pa shenja jete në banesën e familjes në Serravalle.
Sipas mediave italiane, trupi i tij u zbulua nga vëllai i vogël 10-vjeçar, i cili e pa të shtrirë në dhomën e gjumit dhe njoftoi menjëherë familjarët.
Përpjekjet për ta shpëtuar kanë qenë të kota, ndërsa ekipi mjekësor që mbërriti në vendngjarje konfirmoi ndalimin kardiak si shkakun paraprak të vdekjes.
Flavio ishte student në Institutin “Pacini” dhe njihej si djalë aktiv, sportiv dhe pa probleme shëndetësore. Lajmi i ndarjes së tij të parakohshme ka shkaktuar tronditje tek bashkëmoshatarët dhe mësuesit e tij.
Kryetari i bashkisë së Serravalle, ku jetonte familja shqiptare, shprehu ngushëllimet e tij për humbjen tragjike. “Një tjetër i ri nga komuniteti ynë u nda nga jeta. Pyes veten pse Zoti vendos t’i marrë të rinjtë tanë, duke lënë pas prindërit dhe familjet e tyre në dhimbje të thellë,” tha ai në një deklaratë publike, duke shtuar se bashkia do të qëndrojë pranë familjes në këtë moment të vështirë.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, megjithëse shenjat e para përjashtojnë ndonjë ndërhyrje të jashtme.
