Flor Binaj i reagon me një deklaratë të fortë kryeministrit Rama

Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës Florjan Binaj reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha gjatë podkastit të tij se opozita është e dëshpëruar që zgjedh për kandidat një aktor humori.

Përmes një postimi në Facebook, Binaj e cilëson kryeministrin si aktorin më të madh në Shqipëri.

“Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë Euro qytetarëve duke ” i bindur” se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë! Prestigjiator”, shkroi Binaj në Facebook.

Gjatë podkastit të tij të dielën, Rama ironizoi përzgjedhjen e opozitës për kandidatin për kryebashkiak të Tiranës, duke e cilësuar Florjan Binajn “një aktor humori gjoja i pavarur” që ka bërë për të qeshur edhe Kongresin e PS duke imituar atë vetë.

“Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste, ku ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim. Prandaj, nuk e gjykoj fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë. Por kush voton mua dhe Partinë Socialiste, do të votojë Ogertën, që t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur në krye të bashkisë, për të vazhduar punën transformuese për kryeqytetin e Shqipërisë 2030”, tha Rama.