Të dielën e 26 tetorit, Shqipëria do të rikthehet në orën dimërore. Në orën 03:00 pas mesnate, akrepat do të kthehen një orë pas, duke shënuar 02:00.
Ky ndryshim bëhet çdo vit në fund të tetorit dhe ka për qëllim përshtatjen më të mirë të ditës me dritën natyrore.
Praktika, e njohur si “koha verore”, u krijua për të shfrytëzuar më shumë dritën e diellit gjatë muajve të ngrohtë dhe për të kursyer energji elektrike, pasi dritat ndizeshin më vonë në mbrëmje.
Në pranverë, ora shtyhet përpara me një orë për të pasur më shumë dritë pasdite, ndërsa në vjeshtë, siç ndodh nesër, kthehet një orë pas për të pasur më shumë dritë në mëngjes.
Ndërrimi i orës ka qenë praktikë e përbashkët në të gjithë Europën prej dekadash, megjithëse vitet e fundit po diskutohet nëse duhet të vazhdojë, pasi disa studime thonë se ndikimi në kursimin e energjisë është i vogël dhe mund të krijojë çrregullime në ritmet e gjumit.
Për momentin, ndryshimi mbetet në fuqi, ndaj mos harroni: të dielën, ora kthehet një orë pas.
