Balluku nën hetim nga SPAK, reagon për herë të parë Rama

Një ditë pas lajmit se SPAK ka marrë nën hetim zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar për DW, duke thënë se nuk ka asnjë koment, por inkurajon drejtësinë të bëjë punën e saj.

Rama: Nuk kam asnjë koment për asnjë rast. Siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe e mediave që i shërbejnë politikës.

Ditën e djeshme, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi përmes një reagimi në Facebook deklaroi se Balluku është marrë nën hetim nga SPAK dhe të hënën është thirrur në prokurori si e pandehur.

Bardhi u bëri thirrje ndërkombëtarëve të cilët kanë interes në mbrojtjen e integritetit të SPAK, të monitorojnë nga afër çështjen në mënyrë që ky institucion të mos i nënshtrohet presionit politik apo kriminal.

Në mes të majit të vitit të kaluar Balluku dëshmoi për më shumë se 3 orë ndërsa tha jashtë dyerve të prokurorisë se u pyet për inceneratorin e Tiranës. Në pranga ka përfunduar edhe vartësi i saj Evis Berberi, drejtori i ARRSH për korrupsion.