Vizita diplomatike e Zëvendëspresidentit amerikan, J.D. Vance, në Izrael është mbyllur me kritika të ashpra nga zyrtarët e lartë amerikanë, të cilët shprehën shqetësim të thellë për vendimin e Knesetit (Parlamentit Izraelit) për votimin e aneksimit të Bregut Perëndimor.
Zëvendëspresidenti Vance, i cili u largua mbrëmë nga Izraeli, shprehu hapur tronditjen e tij. Për dy projektligjet e paraqitura në Kneset për aneksimin e Bregut Perëndimor, ai u shpreh: “Nëse ishte një marifet politik, ishte një marifet politik shumë idiot dhe personalisht ndjehem i ofenduar nga kjo.”
Më pas, Vance theksoi qëndrimin e prerë të SHBA-së: “Bregu Perëndimor nuk do të aneksohet nga Izraeli, politika e administratës Trump është që Bregu Perëndimor nuk do të aneksohet nga Izraeli, kjo do të vazhdojë të jetë politika jonë.”
Sipas korrespondentit të Channel 12, Barak Ravid, “ndjenja” mes Vance dhe zyrtarëve të tjerë të administratës Trump është se Izraeli “nuk menaxhohet”. Këto zhvillime rritën frikën e Shtëpisë së Bardhë se sjellja e qeverisë izraelite mund të çojë në kolapsin e marrëveshjes në Rripin e Gazës, e cila aktualisht po mbahet në fije të perit.
Një zyrtar i lartë amerikan lëshoi një paralajmërim të ashpër drejt Netanyahut: “Netanyahu po ecën në një vijë të hollë me Presidentin Trump. Nëse vazhdon kështu, do të ndërhyjë keq në marrëveshjen e Gazës. Dhe nëse ndërhyn keq në marrëveshje, Donald Trump do ta *** atë.”
Qëndrimi i Netanyahut, i cili deklaroi se “nuk do të pajtohet me përfshirjen e ushtarëve turq në Rripin e Gazës; kjo është një vijë e kuqe,” u pa gjithashtu si një veprim që e rëndon situatën.
