Aksident fatal/ Humb jetën mjeku i njohur shqiptar

Komuniteti i Londrës dhe Ontarios po mban zi për ndarjen tragjike nga jeta të Dr. Agron Alija, një mjek i respektuar familjar i cili vdiq në një aksident fatal më 21 tetor 2025.

Dr. Alija ishte i njohur jo vetëm për ekspertizën e tij mjekësore, por edhe për dhembshurinë, përkushtimin dhe angazhimin e tij për përmirësimin e jetës së pacientëve të tij.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Artemis Kosta Malo, e cila ka ngushëlluar familjarët e të ndjerit.

Me dhimbje të thellë mësuam lajmin tronditës për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Agron Alija. Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr. Agron Alija për këtë humbje të pazëvendësueshme. Dr. Agron Alija ishte një figurë emblemë e komunitetit shqiptar në Kanada, një profesionist i përkushtuar në fushën e mjekësisë dhe një njeri me shpirt fisnik, që kontribuoi me dashuri, përkushtim dhe integritet në shërbim të njerëzve dhe komunitetit, veçanërisht në Hamilton dhe London, aty ku edhe shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë ‘Schulich’ në London, provinca e Ontarios”, shkruan ambasadorja.

Humbja e tij lë një boshllëk të madh jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë ata që patën fatin ta njihnin dhe ta vlerësonin.