Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Manëz të Durrësit, ku si pasojë e një konflikti dyshohet për motive të dobëta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri dy shtetas.
Tragjedia ndodhi rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, pranë një karburanti. Viktima janë identifikuar si Aranit Kurti (A. K.), 23 vjeç, dhe Flori Paluçi (F. P.), 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga Policia, dyshohet se ngjarja ka qenë një konflikt i dyfishtë.
Skema e dyshuar e vrasjes është: shtetasi F. P. (Flori Paluçi) dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, ndërsa viktima tjetër, A. K. (Aranit Kurti), dyshohet se është vrarë nga vetë shtetasi F. P. para se ky i fundit të vritej.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Ndërkohë, Shërbimet e Policisë po vazhdojnë kontrollet intensive për kapjen e të dyshuarit, shtetasit D. P.
