Detaje të reja dhe tronditëse janë zbuluar në lidhje me krimin e dyfishtë që ndodhi gjatë natës në Manëz të Durrësit, ku dy të rinj humbën jetën, pasi konflikti fatal dyshohet se nisi për një arsye krejtësisht banale: refuzimin për të shërbyer një kafe.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 01:45 në një lokal pranë një karburanti. Viktima janë Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, konflikti nisi kur njëri prej viktimave kërkoi kafe, por nuk iu shërbye për shkak se ekspresi ishte i fikur. Ky irritim i klientit me kamerierin ka nxitur palën tjetër dhe kaq ka mjaftuar që sherri të degradonte deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se Flori Paluçi u qëllua për vdekje nga shtetasi D. P., 21 vjeç, ndërsa viktima tjetër, Aranit Kurti, dyshohet se u vra nga vetë Paluçi gjatë konfliktit, pak para se ky i fundit të mbetej i vdekur. Policia e Durrësit vijon kontrollet intensive për kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit D. P.
