Parametrat e ish-kryetarit të PS dhe ish-kryeministrit Fatos Nano mbeten stabël.
Burime nga stafi mjekësor për Top Channel bëjnë me dije se situate neurologjike e ish-liderit socialist mbeten njësoj pa ndryshime.
Ditën e djeshme, spitali privat ku ndodhet i shtruar Nano njoftoi se prej ditësh ai ndodhet i hospitalizuar, në gjendje të rëndë pas një arresti kardiorespirator.
“Pacienti ka disa ditë i hospitalizuar, në gjendje të rëndë pas një arresti kardiorespirator. Aktualisht pacienti konsiderohet ne gjendje shume te rende ,me prognoze te rezervuar!”, njoftoi spitali.
Ndërkohë familja, miqtë dhe ish-bashkëpunëtorët e tij të afërt kërkojnë në këto momente vetëm qetësi dhe janë të rezervuar për komente në media.
Lideri historik i PS-së, prej kohësh ka patur probleme me mushkërinë. Ai është shtruar disa herë në spital për shkak të një shqetësimi kronik respirator, që njihet edhe si SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike.
Fatos Nano, 73 vjeç është themeluesi dhe kreu i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai ishte njeriu që bëri të mundur transformimin e ish Partisë së punës që vinte nga trashëgimia komuniste, në një forcë që i rezistoi pluralizmit politik, si një aktore me peshë në skenën shqiptare.
Nano ka qenë kryetar i Partisë Socialiste nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005, kohë kur u shkëput nga politika. Një përpjekje e tij e mëvonshme për postin e kreut të shtetit, nuk u mbështet nga Partia socialiste, drejtimin e së cilës e kishte marrë Edi Rama. Gjatë viteve të angazhimit në politikë, që nga viti 1991, ai shërbeu 4 herë si kryeministër i vendit.
