Rregulla të reja dhe të rrepta/ Kush humb patentën jashtë shtetit, s’do lejohet të drejtojë makinën në vendin e tij!

Parlamenti Europian pritet të votojë sot për miratimin e rregullave të reja të patentës së drejtimit, të cilat synojnë uniformitetin dhe rritjen e sigurisë rrugore në Bashkimin Europian.

Rregullorja e re, e cila vjen si një përpjekje për të ulur numrin e lartë të vdekjeve në aksidente rrugore (20,000 në vit), pritet të votohet pro. Eurodeputeti italian Matteo Ricci theksoi rolin e masës për të bërë zbatimin e gjobave më uniform dhe të drejtë.

Pika kryesore dhe më e rëndësishme e rregullave të reja është: Kushdo që humbet patentën e drejtimit në një vend të BE-së, nuk do të lejohet më të drejtojë makinën në vendin e tij. Kjo do të thotë se pezullimi i lejes së drejtimit do të njihet dhe do të zbatohet në të gjithë BE-në.

Rregullorja përfshin edhe disa pika të reja teknologjike dhe për të rinjtë:
Leja digjitale: Patenta e drejtimit do të jetë e aksesueshme përmes smartphone-it.
Koha e provës: Vendoset një kohë prove dyvjeçare e patentës për të rinjtë kudo në BE nga mosha 17 vjeç.
Mësimi: Do të kërkohet më shumë vetëdijësim për rreziqet si këndi i verbër dhe përdorimi i telefonave celularë.

Pas debatesh të mëdha, u vendos që nuk do të ketë kontroll shëndetësor për drejtuesit e moshuar, për të cilin shtetet anëtare do të vendosin vetë.

Hyrja në fuqi e reformës varet nga qeveritë e BE-së, por kjo masë do të rrisë ndjeshëm sigurinë dhe ndëshkimin për shkeljet rrugore.