Lëshohet urdhër-arrest për Netanyahun, reagon Izraeli

Ka shpërthyer një krizë diplomatike mes Izraelit dhe Kanadasë, pasi Kryeministri kanadez, Mark Carney, deklaroi publikisht se vendi i tij do të zbatonte një urdhër arresti ndaj Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nëse ky i fundit shkel në territorin kanadez.

Kjo deklaratë erdhi pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë lëshoi një urdhër arresti ndaj Netanyahut, duke e akuzuar atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë ofensivës në Rripin e Gazës. Izraeli e ka hedhur poshtë juridiksionin e gjykatës dhe mohon çdo akuzë.

Qeveria izraelite ka reaguar menjëherë dhe ashpër. Zëdhënësja e qeverisë, Shosh Bedrosian, i kërkoi Kryeministrit Carney të tërhiqej nga qëndrimi i tij:

“Ne besojmë se Kryeministri Carney duhet ta rishqyrtojë këtë qëndrim dhe të mirëpresë Kryeministrin Netanyahu, udhëheqësin e të vetmit shtet hebre.”

Më tej, Bedrosian kritikoi ashpër edhe vendimin e fundit të Kanadasë për të njohur një shtet palestinez, duke e cilësuar atë si “një shpërblim për terrorizmin” dhe një akt që “vetëm sa i hodhi benzinë zjarrit të antisemitizmit në Kanada.”