Një tragjedi e rëndë ka tronditur qytetin e Maliqit, ku pas përfshirjes nga flakët të një banese, kanë humbur jetën nëna dhe djali i saj i mitur, ndërsa fëmija tjetër ndodhet në spital.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3 në Maliq, në banesën e shtetasit V.A. Menjëherë në vendngjarje shkuan Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve.
Fillimisht, u raportua se si pasojë e zjarrit dhe asfiksisë, ndërroi jetë në vendngjarje shtetasja Mejreme Azisllari (M.A.), 40 vjeçe, nëna e dy fëmijëve.
Dy fëmijët e saj të mitur, 14 dhe 6 vjeç, u dërguan me urgjencë drejt spitalit të Korçës.
Megjithatë, tragjedia u thellua pasi pas transportimit, ndërroi jetë edhe djali 14-vjeçar.
Mësohet se fëmija tjetër, 6 vjeç, vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
