Moderatorja Kiara Tito ka komentuar në emisionin “Goca dhe Gra” deklaratën e Miss Grand Kosovo 2025, Brikena Selmani, e cila shkaktoi polemika në rrjetet sociale pasi pretendoi se Kosova dhe Shqipëria flasin dy gjuhë të ndryshme.
Ky moment u bë viral në rrjetet sociale pas prezantimit të Selmanit, ku ajo shprehu se flet “gjuhën e Kosovës dhe gjuhën shqipe”, duke nxitur reagime të ndryshme.
E pyetur për këtë moment viral, Kiara Tito zgjodhi të justifikonte deklaratën e Selmanit, duke e lidhur atë me emocionet e konkursit.
Ajo u shpreh: “Mbase ka qenë një lapsus i momentit, edhe unë mund të kem bërë gafa si shumica e njerëzve. Kam thënë gjëra që mund të jem ngatërruar nga emocionet.”
Kiara theksoi se po përpiqej ta kuptonte situatën: “Po mundohem ta justifikoj disi duke qenë para një jurie jashtë vendit.”
Në të njëjtin emision, Kiara pranoi se nuk e sheh veten si këngëtare, pavarësisht dëshirës për të provuar një projekt muzikor me partnerin e saj, Luiz Ejlli, pasi zëri nuk është pika e saj më e fortë.
Komenti i saj për Brikenën Selmani shërben si një thirrje për të mos u treguar shumë gjykues ndaj gabimeve të rastit nën presion.
