Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka zbuluar se festimet e Kombëtares në dhomën e zhveshjes, pas fitores ndaj Serbisë, kanë shkaktuar dëme, për të cilat autoritetet serbe kanë dërguar faturën e dëmshpërblimit.
Fitorja historike 0-1 kundër Serbisë ka ngjallur entuziazëm të papërmbajtur te skuadra kuqezi. I ftuar në emisionin “Opinion”, Duka tregoi se festimet kanë kaluar çdo pritshmëri, duke shkaktuar edhe dëme materiale.
I pyetur nga moderatori Blendi Fevziu nëse dëmtuan tavanin dhe disa objekte në dhomat e zhveshjes, Duka u shpreh: “Ata të stadiumit na kanë çuar një letër me të gjitha dëmet që kemi bërë, është edhe ajo e tavanit.”
Duke konfirmuar dëmet, Duka garantoi gatishmërinë e FSHF-së për të paguar faturën: “Po, na i kanë çuar, na i kanë evidentuar dhe padyshim që jemi të gatshëm që t’i ç’dëmtojmë.”
Gjatë intervistës, Duka tregoi gjithashtu emocionet e trajnerit Sylvinho pas fitores. Ai tha se u takuan në korridor, por trajneri ishte shumë i emocionuar:
“Në fakt, nuk arrita t’i them asgjë. Silvio ishte shumë i emocionuar, shumë i… U mundova që ta qetësoj dhe, le të themi, ta përqafoj në një farë mënyre, ta përgëzoj për atë që arritëm, por ishte shumë i emocionuar.”
Këto detaje tregojnë qartë se fitorja jo vetëm që solli gëzim të madh, por edhe një faturë për dëmet e shkaktuara nga festimet masive.
