Gazetarja dhe moderatorja, Sonila Meço, ka shpërthyer me një reagim të ashpër në rrjetet sociale, duke e cilësuar Tiranën si një qytet “të pamenaxhueshëm” dhe “të rënë” pas bllokimit të tmerrshëm të trafikut gjatë ditës së sotme.
Problemi i trafikut në kryeqytet është kthyer në një çështje serioze, por për Sonila Meçon situata arriti kulmin, duke bërë që ajo të humbte emisionin e saj live për shkak të bllokimit.
Ajo theksoi se: “Sot, për herë të parë humba emisionin tim, live, për shkak të trafikut. Për të përshkruar një km rrugë, mu desh më shumë se një orë. Derisa ngeca. Plotësisht.”
Meço e shndërroi hallin personal në një denoncim publik të gjendjes urbane, duke thënë se: “Tirana ka rënë. Është bërë e pamenaxhueshme, si një trup pa qarkullim gjaku. Ky qytet nuk lëviz më.”
Ajo kritikoi ashpër faktorët që kanë çuar në këtë gjendje, si “refluks i tmerrshëm prej ndërtimeve dhe zhvillimit pa plan, pa rrjete alternative, pa asnjë koordinim.”
Ajo shtoi se çdo kantier apo “projekt estetik” kthehet në barrikadë.
Ajo paralajmëroi për pasojat e rënda, duke thënë se në çdo bllokim “digjet karburant, qelbet ajri që thithim, rritet ndotja, bie cilësia e frymëmarrjes.”
Meço e mbylli reagimin me një pyetje retorike: “Çfarë i bënë Tiranës sonë? Si e kthyen në një qytet përbindësh që ha kohën, durimin, shëndetin dhe dinjitetin e banorëve të vet?!”
Ky shpërthim tregon qartë thellësinë e problemit të trafikut që po përballojnë qytetarët e Tiranës.
