Selvije Jao konfirmon ndarjen nga Shpati: Zbulon të pathënat dhe paralajmëron se do të njoftojë policinë

Këngëtarja Selvije Jao ka konfirmuar ndarjen nga partneri i saj, Shpat Kasapi, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se ndarja ka ndodhur prej disa muajsh dhe se do të ndjekë hapat ligjorë ndaj atyre që kanë kaluar kufijtë e privatësisë.

Prej kohësh, në rrjet qarkullonin dyshime për një krizë mes Selvijes dhe Shpatit, por dyshja kishin preferuar të mos reagonin.

Në postimin e saj, Selvije  shpjegoi arsyen e heshtjes, duke thënë: “Nuk kam folur asnjëherë publikisht për ndarjen me Shpatin, por e shoh që njerëzit kanë kaluar çdo kufi që unë mund të toleroj.”

Ajo konfirmoi ndarjen dhe theksoi se vendimi është marrë prej kohësh: “Unë dhe Shpati jemi të ndarë prej më shumë se 6 muajsh. Çdo gjë që bëjmë është vetëm për Roelin [djalin e tyre] me mirëqenien e një engjëlli që në këtë mes nuk ka asnjë faj. Nuk e kemi më në plan të jemi çift, sado e dhimbshme të tingëllojë, ndoshta për ne ky është vendimi i duhur.”

Ajo shtoi se ruan respekt maksimal për ish-partnerin, pasi ai do të mbetet njeriu më i afërt, me të cilin “kemi ndarë një copë bukë dhe kemi një fëmijë bashkë.”

Në fund, ajo paralajmëroi ndjekësit që po e sulmojnë me komente dhe mesazhe: “Ajo që më pengon janë njerëzit që kanë kaluar çdo limit me mesazhe, komente dhe shtirjen sikur jam unë.”

Ajo shtoi se: “Çdo cenim i privatësisë do të ndiqet ligjërisht, gjithçka është lënë në duart e organeve kompetente. Çdo profil fallco posediv që na ndjek çdo hap do merr dënimin e merituar.”

Ajo iu lut publikut që të respektojë vendimin e tyre dhe jetën e tyre private.