Fitorja minimale 0-1 kundër Serbisë ka afruar ndjeshëm Kombëtaren Shqiptare me fazën “Play-Off” të Kampionatit Botëror, ndërsa llogaritë e para tregojnë se skuadra mund të përballet me kundërshtarë të fortë.
Me triumfin në Leskovac, kuqezinjtë kanë konsoliduar vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, duke krijuar një diferencë prej katër pikësh nga Serbia. Një fitore ndaj Andorrës në nëntor thuajse do të siguronte pjesëmarrjen në “Play-Off”.
Ndarja e vazove për fazën e “Play-Off”-it do të bëhet në nëntor, bazuar në renditjen dhe pikët e FIFA-s.
Faqja e statistikave “Football Meets Data” e vendos Shqipërinë momentalisht në vazon e tretë, së bashku me ekipe si Hungaria, Sllovakia dhe Bosnja Hercegovina. Sipas rregullores, një skuadër e vazos së tretë përballet me një kundërshtar nga vazoja e dytë, ku bëjnë pjesë ekipe si Polonia, Çekia dhe Skocia.
Kjo do të thotë se Shqipëria mund të përballet me një nga këto kombëtare në gjysmëfinalet e “Play-Off”-it.
Për t’u kualifikuar në fazën finale të Botërorit, Shqipëria do të duhet të fitojë si gjysmëfinalen, ashtu edhe finalen, një mision i cilësuar si “shumë i vështirë, por jo i pamundur”.
Këto janë parashikime momentale dhe situata mund të ndryshojë pas ndeshjeve të fundit kualifikuese.
