Gazetari serb kritikoi festimin e Manajt, Sylvinho ia mbyll gojën me këtë përgjigje

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, ka dhënë një përgjigje me ironi dhe domethënëse gjatë konferencës për shtyp, pasi u pyet nga një gazetar serb në lidhje me festimin e golit të Rei Manajt me gjestin e shqiponjës.

Fitorja historike 0-1 ndaj Serbisë ka ngritur në maksimum emocionet, por edhe tensionet. Festimi i Rei Manajt me shqiponjën dykrenare pas shënimit të golit u ndëshkua me karton të verdhë, por njëkohësisht ngjalli irritim te pala serbe.

Gjatë konferencës për shtyp, një gazetar serb e pyeti trajnerin Sylvinho për këtë festim. Trajneri kuqezi, i cili tashmë përfaqëson me dinjitet ngjyrat kuqezi, zgjodhi t’i përgjigjej pyetjes në një mënyrë të papritur.

Përgjigjja e tij e parë ishte thjesht një fjalë në shqip: “Përshëndetje!”

Kjo përgjigje e shkurtër dhe ironike e Sylvinhos u interpretua menjëherë si një mënyrë për t’i treguar gazetarëve se, pavarësisht terrenit kundërshtar, mbrëmë në Serbi flitej shqip, duke i dhënë fund pyetjes provokuese.