Masa të rrepta sigurie janë marrë nga autoritetet serbe në prag të ndeshjes eliminatore të Botërorit 2026 Serbi-Shqipëri, ndërkohë që raportohet për një frikë të re lidhur me mundësinë e pranisë së tifozëve shqiptarë në stadium.
Ndeshja e sotme e dy kombëtareve vjen në një klimë të tensionuar, sidomos pas incidenteve si vendosja e flamurit shqiptar në stadium dhe pretendimet për përpjekje për të shitur flamuj e fanella, megjithëse ishte vendosur që në stadium të mos ketë tifozë shqiptarë.
Sikur të mos mjaftonin këto, një tjetër shqetësim është shfaqur tek pala serbe. Autoritetet i tremben faktit se shqiptarët po shfrytëzojnë pasaportat serbe për të blerë bileta, duke siguruar kështu hyrjen në stadium.
Kjo mund të realizohet nga shqiptarët që jetojnë brenda kufijve të Serbisë, si ata në Luginën e Preshevës, Bujanoc, Nish apo Leskovac.
Kjo prani e mundshme e tifozëve shqiptarë, edhe pse me pasaporta serbe, do të sillte probleme të mëdha për sigurinë e ndeshjes. Çdo incident i shkaktuar nga tifozët i faturohet palës serbe, duke e bërë sigurinë një çështje kyçe për ta në këtë përballje.
