Tjetër rast i rëndë në Gjykatën e Apelit – Detajet e para

Një tjetër incident i rëndë ka ndodhur në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku një person ka kërcënuar rojen e sigurisë, duke shtuar tensionin pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja disa ditë më parë.

Ky rast i ri vjen në një periudhë ku debati për sigurinë në gjykata është në kulmin e tij, pas ngjarjes ku një gjyqtar u ekzekutua brenda sallës së gjyqit.

Sipas raportimeve të para, ngjarja ka ndodhur pas një debati mes personit, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur, dhe rojes së sigurisë në ambientet e Gjykatës së Apelit.

Personi thuhet se ka përdorur fjalë kërcënuese për jetën, çka detyroi ndërhyrjen e Policisë. Ai u shoqërua menjëherë nga forcat e rendit në Komisariat për veprime të mëtejshme ligjore.

Ky incident, pavarësisht se nuk shkaktoi dëmtime fizike, rrit alarmet se masat e sigurisë në institucionet e drejtësisë mbeten ende të dobëta dhe se tensioni mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të drejtësisë është shumë i lartë.