Fushata e hapur në platformën GoFundMe për të mbledhur fonde për mbrojtjen ligjore të Elvis dhe Gjon Shkambit, autorëve të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit Durrës, është mbyllur pasi arriti të grumbullonte një shifër të madhe donacionesh.
Vetëm dy ditë pas ngjarjes tronditëse të 6 tetorit, një person i quajtur Françesk Shkambi, i cili pretendonte të ishte familjar, hapi fushatën me objektivin për të mbledhur 20,000 dollarë për shpenzimet e avokatit të të akuzuarve.
Brenda dy ditëve, shqiptarët kontribuuan me mbi 14 mijë dollarë, duke e çuar fushatën shumë afër objektivit të vendosur, mes personave që dhanë donacione me emër dhe atyre anonimë.
Sidoqoftë, në orët e fundit të datës 10 tetor 2025, faqja e donacioneve në GoFundMe është mbyllur dhe nuk është më e aksesueshme.
Në mesazhin e gjatë që pretendohej të ishte nga familja Shkambi, ata shprehnin “dhimbje të thellë për këtë humbje shkatërruese” dhe përcillnin “ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit Kalaja”. Ata kërkonin gjithashtu “falje të sinqerta për Rakip dhe Ervis Kurtajn”, të plagosur në sulm.
Pavarësisht kësaj, mesazhi theksonte se tragjedia nuk ishte qëllim i të akuzuarve, por ishte pasojë e dëshpërimit nga “keqtrajtimi, gjykimet e gabuara dhe vonesat në sistemin e drejtësisë”, duke bërë thirrje për “reformë urgjente gjyqësore” për të parandaluar dëshpërime të tjera.
Mbledhja e një shifre kaq të lartë donacionesh, përpara se të mbyllej, ka nxitur një debat të thellë në publik.
