Aktori i njohur Flor Binaj, i cili për gati dy dekada ishte një nga figurat më të spikatura të spektaklit të humorit “Portokallia”, ka folur hapur për marrëdhënien e tij aktuale me programin që dikur i dha famë.
I ftuar në podcastin “Mirëmbrëma Yje” të Arbana Osmanit, Binaj rrëfeu se nuk e ndjek më “Portokallinë”, pasi ndien keqardhje sa herë përpiqet ta shohë.
“Nuk e shoh ‘Portokallinë’. Ndihem keq kur e shoh. Kam provuar ta ndjek për pesë minuta dhe më vjen keq. Nuk dua të shoh diçka ku kam kaluar 18 vite të jetës sime në atë gjendje. Ka rënë entuziazmi,” – u shpreh aktori.
Sipas Binajt, programit i mungon fryma krijuese dhe energjia që e karakterizonte dikur.
“Po t’u shohësh sytë aktorëve, janë të gjithë të trishtuar. Kanë mbetur te të njëjtat personazhe, pa dëshirën për të krijuar të reja. Prej 5-6 vitesh shohim të njëjtat fytyra dhe role,” – shtoi ai.
Deklaratat e Binajt kanë ngjallur diskutime të shumta në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje periudhën kur “Portokallia” ishte një nga emisionet më të ndjekura të humorit në Shqipëri.
Pikërisht aty, Flor Binaj u bë i njohur për publikun me rolet dhe personazhet e tij të paharrueshme.
Sot, aktori drejton emisionin “Piranjat”, ndërsa së fundmi emri i tij është përfolur edhe si një nga kandidatët e mundshëm për Bashkinë e Tiranës.
