Një 13-vjeçar në SHBA është arrestuar pasi pyeti ChatGPT se si të vriste shokun e tij në mes të orës së mësimit, ndërsa mënyra se si u zbulua kjo gjë ka habitur shumë njerëz.
Sipas mediave lokale, adoleshenti shkroi pyetjen në ChatGPT gjatë mësimit, por sistemi i monitorimit të shkollës, i quajtur “Gaggle”, e zbuloi menjëherë dhe njoftoi policinë.
Oficeri i sigurisë në shkollë e përballi nxënësin, i cili tha se ishte “thjesht duke bërë shaka me një mik”. Megjithatë, shkolla e mori ngjarjen shumë seriozisht, duke e arrestuar 13-vjeçarin dhe dërguar atë në komisariatin lokal.
Pamjet e momentit kur i mituri shoqërohet me pranga janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale.
Zyra e sherifit deklaroi për median amerikane WFLA:
“Një tjetër ‘shaka’ që krijoi emergjencë në shkollë. Prindër, flisni me fëmijët tuaj që të mos bëjnë të njëjtin gabim.”
Sistemi “Gaggle” përdoret aktualisht në mbi 1500 shkolla në SHBA për të monitoruar aktivitetin online të nxënësve në pajisjet që u jep institucioni.
Në faqen e kompanisë thuhet se teknologjia e saj “përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar përmbajtje të dyshimtë apo të rrezikshme” dhe në raste të rënda “njofton menjëherë autoritetet edhe jashtë orarit zyrtar”.
Ngjarja ka hapur debat të madh në rrjetet sociale. Disa përdorues thonë se reagimi ishte i drejtë për arsye sigurie, ndërsa të tjerë mendojnë se arrestimi i një fëmije për një shaka është masë ekstreme.
Një komentues shkroi:
“Po sikur askush të mos kishte reaguar dhe ai ta kishte menduar seriozisht? Më mirë të veprosh herët sesa vonë.”
Një tjetër tha:
“E qartë që nuk kishte asnjë qëllim të keq. Duket se ishin thjesht dy nxënës që po bënin shaka, por megjithatë po përballet me akuza.”
